Bislimi pret përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës

E publikuar: 14/06/2024 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.

Në takim, u përshëndet miratimi i rezolutës në muajin maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe shënimin e 11 korrikut si “Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës”, e cila dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

“U theksua rëndësia e ndërkombëtarizimit edhe të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, për të cilën organizatat mund të mbështeten plotësisht në përkrahjen e Qeverisë, si dhe u nënvizua domosdoshmëria për zbardhjen e krimeve, masakrave dhe planeve të strukturuara të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës e vënia para drejtësisë e përgjegjësve të krimeve”.

“Republika e Kosovës vijon në përpjekjet e saj të pareshtura institucionale në këtë drejtim, por i cili fatkeqësisht përballet me mosgatishmëri, mohim dhe hezitim nga autoritetet serbe për zbardhjen e tyre. Serbia, tashmë e njohur ndërkombëtarisht si shtet gjenocidal, duhet të përballet me të kaluarën dhe të mbahet përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë”, theksohet në njoftimin e zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte dhe drejtuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti si dhe Kushtrim Gara./EO