Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

E publikuar: 19/04/2023 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

“Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

“Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.