BIK: Sulmi në xhami, veprim që dëmton përpjekjet për krijimin e mirëbesimit ndërfetar

E publikuar: 15/04/2017 23:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
BIK: Sulmi në xhamin

Bashkësia Islame e Kosovës përmes një reagimi konsideron se sulmi në xhaminë e Llabjanit dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik.
Më poshtë keni reagimin e plotë të BIK-ut:

Sot pasdite xhamia e Llabjanit është demoluar nga një pjesëtar i komunitetit serb i cili përveç dëmtimit të xhamisë ka bërë edhe përdhosjen e sallës së lutjeve, si dhe ka dëmtuar e përdhos lehvat me ajete nga Kurani famëlartë që kanë qenë të vendosura në muret e xhamisë.

Sulmi, përdhosja dhe demolomi i objekteve e simboleve fetare, përveç që është akt i papranueshëm, është veprim që dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik.

Sulmet e tilla dhe përdhosja e objekteve fetare nxisin e ringjallin urrejtje, mos durim e dhunë, frikën dhe klimën e mosbesimit tek popullata e Kosovës, andaj duhet angazhim i të gjithëve që këso veprime të mos na përsëriten.

Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare, që ato të mos bien pre e individëve që kanë qëllime të errëta dhe drejtësia të vihet në vend.

Nga ana jonë ne mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë.