Bieber nuk pret përparim në dialogun Kosovë-Serbi

E publikuar: 04/05/2023 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shpresat për përparim në mars ishin të mëdha. Por, tani janë shkatërruar. Të mërkurën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan për bisedime në Bruksel. Por palët në konflikt nuk mund të afroheshin më shumë. Situata mbetet e tensionuar.

Kështu e nis shkrimin e saj gazeta zvicerane “Blick”, teksa më tej flet edhe me ekspertë të situatës së sigurisë dhe politikës në Ballkanin Perëndimor.

Florian Bieber, kreu i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, sheh potencial në rritje për përshkallëzim. Megjithatë, ai gjithashtu e konsideron të pamundur një konflikt të armatosur për momentin.

“Në këtë situatë pasigurie dhe përshkallëzimi retorik, sigurisht që diçka mund të ndodhë gjithmonë”, ka thënë Bieber, transmeton Klankosova.tv.

Ai konsideron se as Kosova e as Serbia nuk kanë ndonjë interes për të qetësuar situatën.

“Të dyja palët janë shumë agresive me njëra-tjetrën dhe as Serbia e as Kosova nuk kanë ndonjë interes në de-përshkallëzimin e situatës”, tha Bieber, dhe kjo, sipas “Blick” mund të shihet edhe në ngecjen aktuale të bisedimeve mes dy krerëve të shteteve.

Ndonëse procesi i normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mezi ka filluar, ai tashmë duket se është i ngrirë. Kthimi në status quo – kjo duket të jetë motoja aktuale në konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Është një status quo e rrezikshme dhe e paqëndrueshme e bazuar në tensione”, tha Bieber. Dhe kjo ndoshta do të mbetet kështu për momentin. “Unë jam pesimist se do të ketë vërtet një përparim”.

Situata në rajon është e tensionuar. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell madje ka frikë se ngjarjet e fundit kanë potencial të përshkallëzohen, siç tha ai të mërkurën.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në të cilën është përfshirë edhe Zvicra, po monitoron situatën, siç ka konfirmuar për “Blick”. Aktualisht nuk ka shenja të reja për një përshkallëzim. “Por KFOR-i mbetet i gatshëm të përballet me çdo skenar për të krijuar një mjedis të sigurt”. /Klankosova.tv