Biden: President i bashkimit dhe jo ndarjes

E publikuar: 08/11/2020 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fjalimin e tij të parë para kombit, Joe Biden falënderoi zgjedhësit amerikanë që i ofruan një fitore bindëse dhe u angazhua se do të jetë një president që bashkon dhe jo që ndan.

Demokrati, që mundi Donald Trump në përfundim të një fushate shumë të ashpër, u kërkoi amerikanëve të mos i trajtojnë më kundërshtarët e tyre si armiq.

“Ka ardhur koha të shërojmë Amerikën”, theksoi ai para qindra mbështetësve të mbledhur në bastionin e tij të Wilmington, në shtetin e Delaware.

“Na shikoni, na flisni, ne do t’u japim një mundësi”, nënvizoi ai në fjalimin e fitores.

“Kam bërë një fushatë për të rivendosur shpirtin e Amerikës, për të rindërtuar shtyllën kurrizore të këtij kombi, klasën e mesme dhe për ta bërë Amerikën të jetë sërish e respektuar në botë”, theksoi presidenti i zgjedhur.

Pa asnjë fjalë për kundërshtarin e tij, ish zëvendëspresidenti i Barack Obamas theksoi se e kuptonte “zhgënjimin” e zgjedhësve të Donald Trump, i cili refuzon të pranojë humbjen e tij.

“Vetë, kam humbur zgjedhje, por (…) është koha të lë mënjanë retorikën gërryese, për të ulur temperaturën”, deklaroi Biden.

“Unë do të punoj aq shumë për ata që nuk më votuan, si për ata që më zgjodhën mua”, premtoi përsëri ky politikan me karrierë të gjatë, 77 vjeç.