Biden i shkruan Vuçiqit: Veproni shpejt dhe normalizojini raportet me Kosovën

E publikuar: 20/05/2022 23:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një letër urimi për mandatin e ri si president të Serbisë, ia ka kujtuar Aleksandar Vuçiqit rëndësinë e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.

“Duke qenë se keni lënë prapa zgjedhjet, e inkurajoj Serbinë të bëjë hap para në promovimin e paqes dhe stabilitetit në krejt rajonin dhe të ndërmarrë veprime proaktive, përfshirë kompromis kur është i nevojshëm – me qëllim të normalizimit të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të angazhohen nga afër me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian për ta arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet në mesazhin që Bideni ia ka drejtuar Vuçiqit për Kosovën, në letrën e urimit për fitoren në zgjedhjet presidenciale të një muaji më herët në Serbi, shkruan Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Në letrën drejtuar Vuçiqit, Bideni e ka komentuar momentumin aktual në Evropë që nga nisja e luftës në Ukrainë. Ai ka lavdëruar Serbinë që iu bashkua shteteve që dënuan me rezolutë në Kombet e Bashkuara ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë. Ka kërkuar nga Serbia të jetë në anën që përkrah Ukrainën dhe dënon luftën e Rusisë.