Berisha sulm Yuri Kim: Po sillet si ambasadori i Bashkimit Sovjetik

E publikuar: 11/12/2021 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri historik i PD-së Sali Berisha sulmoi hapur dhe ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim duke deklaruar se po sillet në Shqipëri si guvernatore, “njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik“. Ish-kryeministri e cilësoi mjerane dhe brutale ndërhyrjen e Yuri Kim në Shqipëri.

“Kundër nesh peng-kryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-ja.

Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’u them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër, në historinë tonë pakkush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu sikur e cilësoi Presidenti amerikan Regan, ishte perandoria e së keqes, e degradimit të njeriut, e mjerimit, e dhunës, terrorit.

E kundërta e tij janë SHBA-të. Perandoria e lirisë, e vlerave. Vendi i madhi lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se cdo vend tjetër në botë. Por vendi i madh ka bërë për lirinë e botës gjithashtu më shumë se kushdo. Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA-së të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit e harrojnë këtë” tha ai.