Beqir Kalludra do ta Gjykojë Azem Sylën

E publikuar: 22/02/2018 13:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rasti “Toka” në të cilin për tjetërsim të pronave shtetërore akuzohen Azem Syla dhe 21 persona tjerë, do të gjykohet nga Beqir Kalludra.

Lajmin për caktimin e Kalludrës në Rastin “Toka”, e bëri të ditur për KALLXO.com kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi.

KALLXO.com raportoi para dy ditësh se EULEX-i kishte vendosur që rastin e Sylës dhe të tjerëve ta gjykojnë gjyqtarët vendas.

Prokurori Danilo Cecarreli atë ditë reagoi ashpër për këtë transferim.

Beqir Kalludra ka gjykuar, mes rasteve tjera, katër deputetët e Vetëvendosjes për lotsjellësin dhe aktivistët e këtij subjekti për sulmin në Kuvend.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm./kallxo.com/