Belgjika nxihet nga helikopterët amerikanë

E publikuar: 25/10/2017 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 90 helikopterë amerikanë po ulen në bazën ajrore “Chièvres” në Belgjikë, para vijimit të udhëtimit të tyre drejt Gjermanisë.

Ata po fillojnë një rotacion 9-mujor, si pjesë e masave që po merren nga qeveria amerikane ndaj veprimeve të fundit ushtarake të Rusisë, përfshirë aneksimin e Krimesë dhe stërvitjen e madhe ushtarake të quajtur “Zapad 2017”, të kryer nga ushtria ruse muajin e kaluar.

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara, më herët këtë muaj, për rritje të paligjshme të pranisë së saj ushtarake në Poloni dhe rajonin e Baltikut, duke thënë se në fshehtësi ka vendosur një divizion të tërë të armatosur, në shkelje të paktit mes Moskës dhe NATO-s.

Pjesa më e madhe e helikopterëve do të dërgohen në Gjermani, me disa që do të dislokohen edhe në Rumani, Letoni dhe Poloni, për të trajnuar forcat amerikane dhe ato të NATO-s për të mbrojtur territorin e aleancës.

Helikopterët “Black Hawk”, “Chinook” dhe “Apash” kanë mbërritur në Belgjikë në bordin e një anijeje, shoqëruar nga rreth 2.000 ushtarë, të dislokuar për një periudhë 9-mujore, që do të qëndrojnë në Gjermani dhe do të shpërndahen nëpër Baltik dhe vendet e Europës Lindore. Ata zëvendësojnë një tjetër kontigjent trupash amerikane që kthehen në shtëpi.