Bekim Jashari: Duket se me manipulime dhe blerje votash na u vodh fitorja

E publikuar: 17/10/2021 23:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se pati vjedhjes të fitores përmes manipulimeve dhe blerjeve të votave.

Deklarata e tij vjen pas rezultatit që deri më tani ka publikuar KQZ për këtë komunë e që deri më tani janë numëruar 57,16% të votave, të cilat e nxjerrin të parin kandidatin e PDK-së, Fadil Nura me 56,37% derisa Jashari ka 40,25%.

Jashari ka shkruar se mbështetja e qytetarëve që e ka marrë në çdo takim, sondazhet e EXIT POLL-ve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha.

“Gjatë ditës kemi raportuar për parregullsi të mëdha si blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit. Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si “treni bullgar””.

Po ashtu, Jashari thotë se mungesa e komisionerëve nga subjekti I tij politik ka dëmtuar “jashtëzakonisht shumë votën tonë”.

“Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën. Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj”.

Jashari ka thënë se do të pret edhe numërimin e votës së fundit për të dalë me njoftim të ri.