BE-ja reagon për gjuhën fyese të Bërnabiqit

E publikuar: 30/05/2019 23:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, se në Kosovë ka zyrtarë shtetërorë “që vërtet kanë dalë prej malit”, duke konsideruar se secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe ndarëse, është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve” dhe se status-quoja nuk është mundësi.

Kryeministrja e Serbisë fyen liderët e Kosovës

Për deklaratat e Bërnabiqit gjatë ditës ka pasur reagime të shumta nga krerët e institucioneve në Kosovë. MPJ ka thënë se s’do t’i lejojë hyrjen në Kosovë Bërnabiqit teksa vazhdon me gjuhë të tillë.

Bërnabiq i ka bërë këto komente në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kërkoi sot që BE-ja tadënojë dhe të distancohet nga kjo gjuhë e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.