BE-ja publikon agjendën e takimit Kurti – Vuçiq në Ohër

E publikuar: 15/03/2023 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Vucic-Borell-Lajcak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të shtunën e 18 marsit do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq.

Më pas do të zhvillohet një takim i përbashkët.

“Të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.

Kryeministri Kurti ka thënë të martën se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Ai i është referuar takimit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kur – sipas diplomatëve evropianë – palët kanë arritur pajtueshmëri për propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, por që nuk është nënshkruar asnjë dokument.

Në takimin e Ohrit, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të bllokut evropian, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

Një ditë më parë, Kurti ka thënë se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit.

I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike, as nga Kosova e as nga Brukseli.