BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të zbatimit

E publikuar: 02/03/2023 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Marrëveshjen dhe aneksin ose planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel.

BE-ja thotë se pa planin e zbatimit, i cili konsiderohet pjesë përbërëse e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e njejta do të ishte vetëm “një deklaratë politike, pa asnjë detyrim ligjor apo politik për palët”.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e Marrëveshjes.

Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së./REL