Barcelona-Real luhet në 18 dhjetor, El Clasico ka një datë

E publikuar: 23/10/2019 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tani është zyrtare, El Clasico mes Barcelonës dhe Realit të Madridit e parashikuar të zhvillohej këtë fundjavë, do të luhet në 18 dhjetor.

Komisioni i Garave në Federatën spanjolle zyrtarizoi këtë datë që u propozua edhe nga të dy klubet, ndërkohë që La Liga ka qenë gjithnjë kundër teksa preferonte që kjo sfidë të luhej mes datave 4 dhe 7 dhjetor.

Sfida mes Barcelonës dhe Realit të Madridit në Camp Nou u shty për shkak të tensioneve që shpërthyen në Katalonjë pas vendimit të Gjykatës Supreme për të dënuar me burg liderët politikë Katalanas.

Fillimisht u bë një propozim nga La Liga për ndryshimin e rendit të El Clasico të sezonit; domethënë që ndeshja e 26 tetorit të luhej në Bernabeu ndërsa ajo e fazës së dytë në Camp Nou, një propozim që u refuzua si nga Barcelona ashtu edhe Reali i Madridit.

Kështu që Federata vendosi shtyrjen e saj, ndërkohë që data përfundimtare u vendos vetëm këtë të mërkurë pas një mbledhjeje ku kishte kontraste në opinionet e palëve pjesëmarrëse në të.

Por La Liga nuk dorëzohet ende në këtë pikë pasi ka vendosur që të apelojë këtë vendim në Këshillin Suprem të Sporteve.