Bancroft për dakordimin Kurti-Vuçiq: Djalli gjendet në implementim

E publikuar: 28/02/2023 20:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe dakordimit mbi planin franko-gjerman në Bruksel, autori dhe diplomati britanik Ian Bancroft ka publikuar një shkrim autorial, ku ka thënë se “djalli gjendet në implementim”.

Ai, në EurActiv, ka shkruar se Kosova dhe Serbia kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit, duke arritur një konsensus bazuar në një marrëveshje të propozuar nga BE.

Megjithatë, ka shkruar ai, si gjithmonë, djalli gjendet në detaje. Bancroftka thënë se pa një plan të qartë se si do të zbatohet marrëveshja, ajo do të mbetet e vdekur.

Autori ka shkruar se bazuar në propozimin evropian, ekziston një angazhim për të zyrtarizuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe për të forcuar nivelet e mbrojtjes për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Sipas tij, duke përfshirë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ia njeh Manastirit Visoki pronësinë e 24 hektarëve tokë ngjitur.

E gjithashtu, Bancroft gjithashtu ka shkruar se pjesë e planit është edhe ajo që është dëshmuar të jetë një nga pikat kryesore të pengesave në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht formimi e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, transmeton Gazeta Express.

Ai ka thënë se ky komponent kyç do të sigurojë një mekanizëm jetik për integrimin e mëtejshëm të komunitetit serb të Kosovës, veçanërisht në sferën e shëndetësisë dhe arsimit.

Sipas tij, që kjo marrëveshje të ketë sukses, duhet të ketë një angazhim të sinqertë për të zbatuar secilën nga dispozitat e saj, duke përfshirë nenin që i përket Asociacionit. Nëse mungon një element, shkruan ai, atëherë marrëveshja është në thelb e pakuptimtë.

Në anën tjetër sipas Bancroft, Serbia duhet të zbatojë të gjitha detyrimet e saj të parealizuara që dalin nga Dialogu Beograd-Prishtinë dhe të fillojë përgatitjet për përmbushjen e detyrimeve të reja për të cilat kanë rënë dakord.

Koha është thelbësore, vazhdon ai, duke theksuar se të dyja palët do të duhet të përmbahen nga retorika përçarëse dhe veprimet e njëanshme në terren, të cilat mund të prishin bisedimet.

Bancroft beson se përkundër se Serbia dhe Kosova kanë bërë një hap të rëndësishëm përpara, mbetet shumë punë për t’u bërë. Do të duhet të gjenden kompromise shtesë, thotë ai dhe kostot në rast të dështimit për Kosovën, Serbinë nuk ia vlen as të llogariten. /GazetaExpress