Bajrami publikon nëntë faqe me shkelje të Serbisë ndaj marrëveshjes së Ohrit (DOKUMENT)

E publikuar: 05/05/2023 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i ka publikuar nëntë faqe në llogarinë e tij në Twitter, të cilat thotë se janë të mbushura me shkelje të Serbisë ndaj marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, këto shkelje Serbia nisi që t’i bëjë menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes themelore e cila u arrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Menjëherë pas finalizimit të Marrëveshjes Bazë, Serbia filloi t’i shkelë dispozitat e saj. Në vetëm dy javë, ajo mbushi 9 faqe me shkelje të listuara, të cilat përfshijnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kosovës dhe nxitjen e serbëve të Kosovës për kryengritje”, ka shkruar Bajrami në Twitter.

Lista në fjalë titullohet “Një kontroll konciz faktesh: Shkeljet e Marrëveshjes Themelore nga Serbia”.

Përpara se të thahej boja e marrëveshjes, Serbia filloi të ri-interpretojë, të rikthejë dhe të zbusë atë që ishte rënë dakord. Dy javë pas miratimit të marrëveshjes, lista e shkeljeve të Serbisë është rritur për të mbushur 9 faqe”.

Tutje, në këtë dokument thuhet se deklaratat dhe veprimet e Serbisë tregojnë se lidershipi i saj nuk është i interesuar të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën.

“Serbia vazhdimisht ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës në nivelin e cenimit të plotë të funksionalitetit bazë në shumicën e zonave me popullsi të konsiderueshme serbe të Kosovës. Nxitja e serbëve të Kosovës drejt bojkotit dhe kërcënimi me kryengritje është një pengesë e qartë që pengon jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por pengon edhe serbët e Kosovës që të gëzojnë përfitimet që u takojnë ligjërisht nga institucionet e Kosovës”.