Bajrami fton projektantët që t’i përmbahen planeve rregulluese, zhvillimore urbane dhe komunale në Gjilan

E publikuar: 20/06/2018 11:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrotjes së Mjedisit në Gilan, Bekim Bajrami, në konferencën e sotme për media, ka ftuar investitorët dhe projektantët që t’i përmbahen planeve rregulluese, zhvillimore urbane dhe komunale sa i përket sektorit të ndërtimit.

“Ftoj të gjithë investitorët që të angazhojnë projektantë (ka mjaftë të mirë në treg) dhe të bëjnë projekte funksionale dhe arkitektonike, t’iu përmbahen planeve rregulluese urbane dhe komunale. Me këto kritere në fuqi u ofrohet mjaftë hapësirë që t’i përmbushin kërkesat e tyre dhe njëherit të aplikojnë kreativitetin e tyre. Të bëhen projekte/objekte të qëndrueshme, efiqiente dhe me sa më pak ndikim negativ në ambient si dhe të jenë fizibile për kapacitetin tonë”, ka thënë Bajrami.

Ai ka kërkuar nga ta që të mos u bëhet trysni për projekte ngulfatëse duke cenuar hapësirat dhe dëmtuar komunikimin e zhvillimin e mëtutjeshëm.

“Deri tani kemi patur përvoja jo të mira. T’i lëmë punë sa më pak ligjit të legalizimit apo të mos ketë fare nevojë për të mëtutje”, tha ai.

I pari i Urbanizmit në Gjilan theksoi se deri në fund të vitit realizimi i planit të punës do të jetë i mbështetur në tre sektorë, atë të planifikimit, të lejeve dhe sektorit jurudik, duke u zotuar do të përmbushet në përpikmëri.

Bajrami ka bërë të ditur se Drejtoria përkatëse është duke e bërë hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZhK) dhe hartën zonale të Komunës, ku pjesa më e madhe pritet të përfundohet sivjet.

“Bashkëhartues në këtë plan bazik për territorin e qytetit do të jenë të gjithë qytetarët. Punëtoritë e veçanta janë duke u mbajtur duke filluar nga udhëheqësia komunale dhe do të përmbyllen deri sa të mbulohet me të gjithë përfaqësuesit administrativ e gjeografik të të gjitha vendbanimeve të qytetit. Afati kohor i përfundimit është 12 muaj sipas planifikimit dhe 9 muaj të mbetur sipas kontratës. Vëmendje e posaçme i kushtohet planit dinamik të implementimit të projektit’, ka deklaruar drejtori Bekim Bajrami.

Ai ka njoftuar se është duke u implemetuar strategjia për energji të qendrueshme për territorin e komunës, projekt ky i hartuar në mbështetje të Komisionit Europian dhe organizatës gjermane GIZ.

Ndërkaq, sa i përket strategjisë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, Bajrami tha se është në fillim të hartimit të saj, e cila do ketë ndikim jashtëzakonisht të mirë në mbrojtje të mjedisin.

Në fund, drejtori i DUPMM është shprehur se do të vazhdojë me hapjen e rrugëve sipas Planeve Rregulluese të miratuara tek Livadhet e Arapit, Kampi Monteith, Gllama, Dheu i Bardhë etj.