Avokati i Thaçit: Presim gjykim të gjatë, por në fund ai do të shfajësohet nga të gjitha akuzat

E publikuar: 01/04/2023 12:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gregory Kehoe, avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, vetëm tri ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se pret një gjykim të gjatë. Por, ai beson se mbrojtja do të jetë në gjendje që ta tregojë rolin e Thaçit në luftën për liri për njerëzit e Kosovës, si dhe punën për pajtimin etnik që ai ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Kjo do të vërtetohet në përfundim të gjykimit dhe Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat”, shprehet i bindur Kehoe.

Lexo Edhe:

Gjendet armiku i vërtetë i diabetit!

Hanë iftar bashkë, myslimanët dhe të krishterët e këtij vendi i dalin kund…
“Për atë që ka bërë gjatë luftës dhe pas luftës, kur KFOR dhe UNMIK erdhën në Kosovë, në qershor 1999. Ishte ai që i nxiti të gjitha këto njësi që të punojnë së bashku, ishte ai që punoi për njerëzit e Kosovës për pajtim ndëretnik e që t’i jepej fund dhunës. Ishte ai që e bëri këtë gjë pa pushim. Nuk ishte askush tjetër aty që ta bënte këtë, përveç Hashim Thaçit dhe ne do ta vërtetojmë këtë”, ka theksuar avokati amerikan.

Për të treguar rolin e ish-udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pas qershorit 1999 si politikan në ndërtimin e paqes dhe pajtimit ndëretnik, mbrojtja planifikon të thërrasë si dëshmitarë edhe disa personalitete ndërkombëtare të profilit të lartë.

Avokati Kehoe ka treguar se do të ftohet gjenerali Wesley Clark, i cili ka qenë komandant Suprem i NATO-s për Evropë dhe i Komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në maj të vitit 2000; Bernard Kouchner, përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë/ shef i Misionit të UNMIK-ut nga korriku 1999 deri në janar 2001; William Walker, i cili ka qenë drejtues i Misionit Monitorues për Kosovën nga tetori 1998 deri në qershor 1999; Daan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001 dhe disa personalitete të tjera.

“Që të gjithë kanë pasur ndërveprime me Thaçin, si në aspektin profesional, por në disa raste edhe në atë personal”, thuhej në mocionin e mbrojtjes, kur ishte paraqitur lista e dëshmitarëve.

“Të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë”, thotë Kehoe. Por, ai ka shprehur brengosjen se për shkak të zgjatjes së gjykimit, mund të humbasin ndonjërin nga këta dëshmitarë. Mbrojtja e Thaçit e kishte konsideruar si dëshmitare potenciale dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, por ajo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, derisa Thaçi dhe të tjerët po mbaheshin në paraburgim.

“Kemi një listë dëshmitarësh që planifikojmë t’i vendosim para gjyqtarëve. Por, shumë nga këta zotërinj janë të moshuar. Unë ju dëshiroj një jetë të gjatë, por kjo është edhe një ndër arsyet pse duam që procesi të shkojë sa më shpejt”, u shpreh avokati.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të nisë të hënën, më 3 prill. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati Kehoe shprehet i habitur si për udhëheqësit e UÇK-së, Prokuroria ka paraparë dyfish më shumë dëshmitarë dhe orë të gjyqit sesa edhe për Slobodan Milosheviqin.

“Kanë mbi 300 dëshmitarë dhe pse u duhen kaq shumë dëshmitarë, kur çështja është e qartë, mbetet një mister për mua. Nëse të duhen mbi 300 dëshmitarë për çështjen tënde, ajo çështje nuk është e qartë, nuk është e fortë”, shprehet ai.

EO: A mund të na bëni një përmbledhje të procesit gjyqësor të deritanishëm në rastin e Thaçit dhe të tjerëve?

Kehoe: Padyshim, po i afrohemi gjykimit në mëngjesin e së hënës, 3 prill. Do të jepen deklaratat hapëse. Prokuroria nis të hënën, ne fillojmë në mëngjesin e së martës, në emër të Thaçit, pas të cilit vijnë edhe tre të akuzuarit e tjerë. Pra, kjo është ajo që do të ndodhë në ditët në vijim.

EO: Çfarë prisni nga ky gjykim?

Kehoe: Së pari, pres se do të jetë një gjykim i gjatë. Besoj shumë se në fund do të jemi në gjendje që ta tregojmë rolin e Thaçit në luftën për liri për njerëzit e Kosovës dhe se kjo do të vërtetohet në përfundim të gjykimit.

EO: Gjykata e Hagës është ndërtuar mbi akuzat e Dick Martyt për trafikim organesh. A do të përfshihen edhe këto akuza në gjykim?

Kehoe: Bota e di se akuzat e Dick Martyt nuk janë të vërteta. Ato janë refuzuar nga çdo entitet që i ka hetuar ato, madje edhe nga Prokuroria e Gjykatës Speciale. Nuk ka asnjë akuzë, e përsëris, asnjë, të këtij lloji për trafikim organesh. Çdo akuzë e hedhur nga Dick Marty është vërtetuar se nuk është e vërtetë.

EO: Pse po merr gjykimi kaq shumë kohë, kur e dimë se kanë kaluar mbi 2 vjet?

Kehoe: Pyetje shumë e mirë. Kur klienti im u dorëzua, në nëntor të 2020, duket si shumë kohë më parë, na u tha se gjykimi do të fillojë në gjashtë muaj dhe ja ku jemi në prill të vitit 2023. Prokuroria nuk ishte e gatshme të fillonte gjykimin pas gjashtë muajsh, e thanë këtë kur klienti im bëri një kërkesë për lirim paraprak. Ai nuk u lirua, ka qenë i burgosur përgjatë gjithë këtyre viteve, siç kanë qenë edhe tre të akuzuarit e tjerë. Në të vërtetë nuk kam ndonjë shpjegim pse iu desh aq shumë kohë për të ngritur çështjen e tyre.

EO: Udhëheqësit e UÇK-së kanë dyfish më shumë dëshmitarë dhe orë të gjyqit se Slobodan Milosheviqi. Si e shpjegoni këtë?

Kehoe: Nuk mund ta shpjegoj as këtë. Ky është plani i Prokurorisë, jo i klientit tim. Klienti im dhe të tjerët do të dëshironin që ky proces të kryhej sa më shpejt, të kishte një gjykim sa më të shpejtë, por prokuroria i ka dhënë dy vjet ngritjes së çështjes. Kanë mbi 300 dëshmitarë dhe pse u duhen kaq shumë dëshmitarë, kur çështja është e qartë, mbetet një mister për mua. Nëse të duhen mbi 300 dëshmitarë për çështjen tënde, ajo çështje nuk është e qartë, nuk është e fortë.

EO: A ekziston mundësia se do të shkurtohen orët e gjykimit ose do të largohen dëshmitarë?

Kehoe: Shpresojmë se po. Trupi gjykues na ka thënë se do ta monitorojë se si do ta zhvillojë prokuroria çështjen. Mirëpo do ta shohim se si do të rrjedhë, pasi të fillojnë dëshminë dëshmitarët e parë.

EO: Kush do të dëshmojë për mbrojtjen? A do të jenë emrat e mëdhenj nga Amerika dhe NATO?

Kehoe: Po, kemi shumë dëshmitarë ndërkombëtarë. Gjeneralin Wesley Clark, ambasadorin Kouchner, i cili është në Paris në këto kohë. Kemi edhe ish-ambasadorin e OSBE-së, Daan Everts, i cili është holandez. Të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë. Kemi edhe ambasadorin William Walker, i cili ka qenë ambasador i Misionit Verifikues në Kosovë. Pra, kemi një listë dëshmitarësh që planifikojmë t’i vendosim para gjyqtarëve. Shumë nga këta zotërinj janë të vjetër, dhe unë ju dëshiroj një jetë të gjatë, por kjo është edhe një ndër arsyet pse duam që procesi të shkojë më shpejt.

EO: Në Kosovë, kredibiliteti i kësaj gjykate është mjaft i ultë? A mendon se ka edhe elemente politike të përfshira këtu?

Kehoe: Gjithmonë ka elemente politike në gjykatat penale ndërkombëtare, nuk është asgjë unike as në rastin e Gjykatës Speciale. Kam qenë për shumë vjet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe nuk është surprizuese që politika ta gjejë rrugën e saj nëpër këto gjykata.

EO: Më 3 prill do të fillojë edhe gjykimi. Çfarë prisni?

Kehoe: Më 3 prill janë deklaratat hapëse dhe gjyqi do të fillojë zyrtarisht. Siç thashë, deklaratat hapëse do të jenë më 3,4 dhe 5 prill. Ndërsa, në javën tjetër në vazhdim, do të kryhen dëshmitë aktuale nga dëshmitarët.

EO: Për fund, ndonjë gjë tjetër që mendoni se është e vlefshme për t’u përmendur?

Kehoe: Shpresoj që ti dhe audienca juaj ta vlerësoni punën e presidentit Thaçi për paqe dhe liri. Por, edhe punën për pajtimin etnik që ka bërë në Kosovë. Kur ta kryejmë këtë, në fund të gjyqit, ai do të shfajësohet nga të gjitha faktet.

EO: Pra, keni një ndjenjë pozitive?

Kehoe: Sigurisht që po. Kam një ndjenjë shumë pozitive për atë që ka bërë gjatë luftës dhe pas luftës, kur KFOR dhe UNMIK erdhën në Kosovë, në qershor 1999. Ishte ai që i nxiti të gjitha këto njësi që të punojnë së bashku, ishte ai që punoi për njerëzit e Kosovës për pajtim ndëretnik e që t’i jepej fund dhunës. Ishte ai që e bëri këtë gjë pa pushim. Nuk ishte askush tjetër aty që ta bënte këtë, përveç Hashim Thaçit dhe ne do ta vërtetojmë këtë