Avokati i Thaçit kërkon kohë për diskutim me klientin para fillimit të kundërpyetjeve

E publikuar: 10/05/2023 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe, gjatë seancës sot ka kërkuar kohë që të diskutojë me klientin në lidhje me kundërpyetjet për dëshmitarin.

Ai u shpreh se janë akuza të rënda dhe për këtë i duhet kohë për të bërë hetime të tjera para se të fillojnë pyetjet e ekipit mbrojtës.

Pas mocionit të Kehoe për kohën që i nevojitet me Thaçin, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se do të kenë kohë sot të gjithë nga një orë me klientët e tyre.

“Të gjithë ju do të keni nga një orë me klientët pasdite. Mund të diskutoni edhe përmes aplikacionit ‘Zoom’ me klientin në burg, nëse nuk dëshironi të diskutoni me ta fizikisht atje. Pra, ka mundësi të ndryshme që mund t’i shfrytëzoni nga sot deri të premten”, ka thënë Smith.

Por, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës është shprehur se Thaçi ka kërkuar që gjatë së premtes të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

Sot po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të katërt në sesion privat.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.