Avdyli: Për dikë që është rritur në rrugët e këtij qyteti, ta veshësh fanellën e Prishtinës është krenari dhe privilegj

E publikuar: 03/08/2021 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Florent Avdyli është transferimi më i ri i Prishtinës.

Futbollisti kosovar, Florent Avdyli, i cili njihet për cilësitë e tij në mesfushë, është transferimi më i ri i Prishtinës i cili do të jetë nën urdhërat e Zekrija Ramadanit që nga fillimi i sezonit 2021/22, transmeton lajmi.net.

Vet Avdyli u shpreh tejet i kënaqur me transferimin e tij tek kryeqytetasit.

“Ta veshësh fanellën e Prishtinës, është privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Të luash nën logon e skuadrës e cila është më e trofeshmja në histori të futbollit kosovar, është një ëndërr e bërë realitet”, tha ai.

“Duke u rritur në rrugët e qytetit të Prishtinës, jam rritur me Plisat dhe me dashurinë e qytetarëve të këtij vendi për futbollin dhe sportin në përgjithësi”, shtoi ai.

“Dashuria për këtë qytet, klubin e tifozët, më bënë të mos e mendoj dy herë zgjedhjen që ta vazhdoj karrierën këtu tek Prishtina, kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës”, tha Avdyli.

“Rruga përpara do të jetë sfiduese, por me angazhim, vullnet e duke qenë të bashkuar si skuadër, atëherë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Kjo me synimin, që t’i vazhdojmë sukseset aty ku i lanë në edicionin e kaluar”, përfundoi Florent Avdyli.