Avdullah Hoti paralajmron vizitë në Shqipëri

E publikuar: 29/06/2020 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeminsitri Hoti pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka rënë dakord që të bëjë një vizitë zyrtare në Tiranë. Lajmin e bën të ditur Zyra e Kryeministrit Hoti.

Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar përmes një komunikate për media se Avdullah Hoti pritet ta vizitojë Shqipërinë më 3 korrik, njofton Insajderi.

“Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij takimi mes dy kryeministrave, Avdullah Hoti ka thënë se pavarësisht zhvillimeve dhe vështirësive që do kemi, Kosova është e përkushtuar që ta përmbush agjendën e saj të integrimeve evropiane.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, ka thënë Hoti.

Nga ana tjetër, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.