Autostrada Prishtinë-Shkup, Lekaj tregon kur do lëshohet segmenti deri në Kaçanik

E publikuar: 28/10/2017 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy vitet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për infrastrukturën rrugore të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme është përuruar segmenti i dytë i autostradës Prishtinë-Pejë, saktësisht në fshatin Kiev të Malishevës.

Mirëpo, segmente tjera të autostradave priten të përurohen shumë shpejt, madje në këtë vit.

Në një prononcim për ‘Indeksonline’, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka treguar se kur do të përfundojë segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhafer”, që lidh dy pika kyqe në Ferizaj.

I pari i këtij dikasteri thotë se ky segment është disa kilometra. Sipas tij, ka mbështetje të vazhdueshme nga kryeministri, Ramush Haradinaj që të përfundojë këtë vit.

“Jemi në rrugë të mirë që kjo autostradë të ndërtohet sipas ritmit të paraparë dhe po angazhohemi të gjithë bashkërisht me mbështetjen dhe prioritetin edhe nga ana e kryeministrit që segmenti, kyqja “Babush” – deri të kyqja “Bibaj” ( Ferizaj), 11 kilometra, të përfundojë dhe të jetë gati përafërsisht rreth fundit të dhjetorit të këtij viti”, ka thënë Lekaj.

Më tej, ai shton se dikasteri që ai e udhëheq së bashku me kompaninë Bechtel-Enka do të ju mundësojë qytetarëve të lëvizin deri në Kaçanik dhe anasjelltas.

“Ne në Ministrinë e Infrastrukturës gjithnjë në komunikim me kompaninë punekryrese, Bechtel&Enka jemi në kontakt dhe në krye të detyrës që të mundësohet që brenda këtij viti qytetarët të mund të qarkullojnë të paktën deri afër Kaçanikut dhe anasjelltas”, ka përfunduar ai.

Për përfundimin e të gjithave autostradave në vend, Lekaj ka treguar se janë paraparë me vija buxhetore me afat diku tri vite por edhe ato që mbarojnë gjatë vitit 2018 do të ketë buxhet të mjaftueshëm./Indeksonline