AUK: Ne zbuluam problemin me mishin e prishur të Belgjikës, nuk marrim më nga atje!

E publikuar: 10/03/2018 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vitin 2016 në Kosovë janë asgjësuar 20 mijë kilogramë mish i prishur, importuar nga mishtorja e Belgjikës “VEVIBA”.

Kështu ka bërë të ditur për Indeksonline zëdhënësi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Lamir Thaçi, sipas të cilit ky rast ishte zbuluar në Kosovë dhe e njëjta firmë nuk importon më në vendin tonë.

Ai ka thënë se së pari këso lloji i mishit u kap në Prizren dhe nga atëherë nuk u importua më mish nga Belgjika.

“Ky është zbulim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Në vitin 2016 ne kemi ndaluar një ngarkesë e cila ka qenë me origjinë nga Belgjika gjatë kontrollit në kufij pika doganore në Prizren. Inspektori veterinar ka vërejtur mos përputhshmëri në etiketa dhe deklaracion. Ai ka vërtetuar se bëhet fjalë për mish me afat të skaduar. I kemi njoftuar autoritetet belge për rastin, ata e kanë dërguar një inspektor. Ai i ka parë të gjitha dokumentet dhe deklaracionet. Ne e kemi asgjësuar ngarkesën në fjalë, pastaj ata në Belgjikë i kanë filluar hetimet ndaj kompanisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se për këtë janë njoftuar edhe autoritetet belge posa është kuptuar problemi.

“Ngarkesa tjera nuk kemi pasur nga ajo kompani, dmth ne e kemi zbuluar këtë problem, kemi komunikuar zyrtarisht me autoritetet atje, ne i kemi njoftuar”, ka përfunduar Thaçi./indeksonline/