
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se kanë evidentuar 51 raste të dyshimit, për vepra penale me ç’rast të njëjtat i kanë dërguar në Prokurori të Shtetit.
Derisa ka shtuar se në Prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi “për shkak të çështjeve të ndërlidhura”.
Tutje, Spanca tha se bilanci bankar, deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur në kuadër të kufijve të përcaktuar ligjor.
“Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, si procesi i prokurimit, lidhja e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale dhe mallrave, ku janë identifikuar 36 raste. Tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve, si dhe 7 raste në fushën e punësimit”, u shpreh Spanca.
“Rastet që i kemi dërguar sivjet në Prokurori janë kryesisht të nivelit lokal. Deri më tani kemi dërguar rreth 300 raste në Prokurori, nuk kemi ende informata për ndonjë epilog të rastit”.
“Gjatë vitit 2022, përsëri ishin realizuar pagesa në vlerë prej 792 mijë euro personave të komunitetit serb të angazhuar me Marrëveshjen e Brukselit, e të cilët nuk kanë vijuar punën dhe nuk zhvillojnë aktivitete në kuadër të ministrive përkatëse”, tha Spanca.
“Për sa i përket performances financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2022, të hyrat ishin realizuar 2 628 552,000 euro apo 87 për qind e planit. Ndërsa krahasuar me vitin 2021, ato janë rritur në rreth 6 për qind. Buxheti i shtetit për vitin 2022 ishte shpenzuar në vlere 2 625 008,000 euro apo 83% e buxhetit final për shpenzime. Krahasuar me vitin paraprak kishte rrit prej 10.35 për qind. Megjithatë, shpenzimet për investime kapitale ishin realizuar vetëm 60 për qind e buxhetit final”, tha tutje Spanca.
“Duke u bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, nga analizimi i të gjitha raporteve të auditimit të rregullsisë dhe të performancës për sezonin 2022/2023, kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar te Prokurori i Shtetit për analize dhe hetime te mëtejme. Përveç, këtyre 51 raste të evidentuara, në Prokurori janë dërguar edhe 2 raporte në tërësi për shkak te çështjeve të ndërlidhura”.