Atentatorët u siguruan që viktimat kishin vdekur, detaje nga atentati në Fushë Krujë
4 hours më parë

E publikuar: 18/07/2022 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas shuarjes së plotë të zjarrit në makinën e dyshuar të përdorur nga autorët, janë gjetur në brendësi të makinës tre armë zjarri automatike.

Targa e mjetit del e kallëzuar si e vjedhur në Tiranë këtë vit.

Sipas informacioneve, Diklen Vataj ishte roje i Brilant Martinajt.

Dyshohet se kanë qenë katër persona në mjetin që ka kryer atentatin, ku tre kanë dalë nga mjeti dhe kanë qëlluar në drejtim të viktimave.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes dyshohet se Diklen Vata mundi të dilte nga mjeti i plagosur, po gjallë. Autorët e kanë qëlluar dhe nga afër me armë dhe janë larguar kur janë siguruar se ka vdekur.

Në vendngjarje janë sekuestruar mbi 50 gëzhoja armësh automatike.

Njëri prej të vdekurve është identifikuar si Diklen Vata, 30 vjeç nga Laçi, kurse dy të tjerët që janë shkrumbuar janë Brilant Martinaj dhe Arbër Hoxha.

Brilant Martinaj është i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela para dy vitesh. Kurse Diklen Vata rezulton person me precedentë penalë për trafik narkotikësh.

Mësohet se Vata është arrestuar në vitin 2017 për shpërndarje kokaine në Tiranë.

Dyshohet se autorët e vrasjes kanë qenë në lëvizje në momentin që kanë qëlluar, ndërsa tre viktimat po udhëtonin me automjetin tip “Volswagen Passat”.

Si pasojë automjeti ka marrë flake nga të shtënat dhe nxehtësia e madhe. 30-vjeçari ka qenë pasagjer, ka mundur të dalë nga automjeti dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta policie.

Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve.

Në brendësi të automjetit është konstatuar një automatik që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.

Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë. /top-channel.tv