ASK publikon rritjen e çmimeve deri në Shtator – cilat janë produktet që u shtrenjtuan më së shumti dhe sa?

E publikuar: 25/10/2021 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencioni i Statistikave i Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin Shtator dhe është vërejtur një ngritje e çmimeve në produktet ushqimore bazë, rritje kjo që po vazhdon ende.

Sot në shumë qytete të Kosovës, një bukë është bërë 50 cent. Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe çmimi i produkteve të tjera ushqimore bazë si perimet dhe produktet e qumështit, shkruan lajmi.net.

Sa i përket muajit shtator, sipas ASK ngritje e çmimeve është vërejtur tek produktet e mishit, të qumështit, perimet e lëndët djeëse, ndërsa ka pasur rënie të çmimit të perimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.1% në muajin shtator 2021, krahasuar me muajin gusht 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.6%); perime (2.8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1.3%); shërbime hoteliere (0.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-4.7%); shërbime për transport (-3.0%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK.”, thuhet në raportin e ASK-së.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2021 me muajin shtator 2020 ishte 4.9%.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.5%); mish (1.9%); qumësht, djathë dhe vezë (7.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (28.2%); perime (19.7%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); pijet alkoolike (3.8%); duhan (2.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (2.3%); gaz (10.6%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (4.6%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2.6%); pajisje shtëpiake (4.0%); veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (2.9%); blerje e automjeteve (1.5%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (2.2%); karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (26.7%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (5.0%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%); shërbime për transport (2.2%)-(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3%); pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informative (2.7%); pushime të organizuara turistike (8.9%); shërbime hoteliere (2.3%); kujdes personal (1.2%); shërbime financiare (6.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4.9 për qind në IHÇK-it.”, thotë ASK.

Rritje e çmimeve është paralajmëruar deri në janar të vitit 2022, ndërsa deri më tani kjo rritje e çmimeve po shihet si e papërballueshme për qytetarët.