“Asgjë për t’u frikësuar”, BE-ja e kënaqur me Kurtin, pret që ai dhe Vuçiq të nënshkruajnë

E publikuar: 13/03/2023 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërkombëtarët kanë pritje të mëdha për takimin e së shtunës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak është ndarë i kënaqur nga takimi me Kurtin në Prishtinë dhe sot është takuar me Vuçiqin në Beograd. BE-ja po e bën gati planin e zbatimit, për të cilin do të kërkohet aprovimi i dy liderëve në fundjavë.

Bashkimi Europian po i përgatit detajet e fundit të asaj se çfarë do të zbatohet dhe si do të zbatohet. Në Bruksel presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksanadar Vuçiq ta nënshkruajnë udhërrëfyesin të shtunën në Ohër.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po qëndron në Beograd. Ai u takua sot me Vuçiqin, pasi javën e kaluar ishte në Prishtinë dhe u takua dy herë me Kurtin.

Lajçak tha se u nda i kënaqur nga takimi me Kurtin. Në një intervistë për mediumin serb, Kossev, diplomati tha se kryeministri i Kosovës ishte përgatitur për këtë, ndërsa tregoi se qëllimi i vizitave në Prishtinë dhe Beograd ishte “të diskutoja aneksin me kryeministrin Kurti dhe të dëgjoja kontributin e tij për propozimin tonë.

“…Kam ardhur këtu për ta marrë kontributin e tij dhe e kam marrë atë. Kjo është e rëndësishme. Ai ishte përgatitur për takimin tonë. Dhe pikërisht kjo më çon në Beograd të hënën dhe të martën, për t’u takuar me presidentin Vuçiq dhe për ta marrë kontributin e tij. Dhe në bazë të këtyre dy inputeve ne do ta përgatisim një propozim që duhet të shërbejë si bazë për diskutimin tonë në Ohër”, tha Lajçak të shtunën.

Ai tha se s’ka mundësi që marrëveshje për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mos zbatohet apo të zbatohet pjesërisht.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pika më delikate e propozimit europian, por Lajçak tashmë ia ka dhënë Kurtit disa modele të cilat kryeministri kosovar pranoi sot se po i shqyrton me ekipin e tij. Në këtë pikë, Lajçak thotë se “zgjidhja gjithashtu duhet të japë garanci se nuk ka asgjë për t’u frikësuar”.

Lajçak kujtoi se Kurti dhe Vuçiq në takimin e fundit janë pajtuar për përmbajtjen e propozimit.

“Tani, sipas kontributit të tyre për zbatimin, ne do ta hartojmë një propozim që do të diskutohet në Ohër më 18 mars”, tha ai.

Lajçak ka treguar se tensionet e vitit të kaluar ishin shkaku që BE-ja vendosi të dalë me një propozim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që tashmë po njihet si “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit”.

Propozimi u përpilua, pasi, siç tha Lajçak, takimet mes Kurtit dhe Vuçiqit vitin e kaluar treguan se “vizioni i tyre për noprmalizimin ishte shumë i ndryshëm”.

BE-ja pret që marrëveshja mbi udhërrëfyesin të finalizohet të shtunën në takimin e rëndësishëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, ose që të paktën të bëhet një përparim i rëndësishëm.