Arsenali fiton dhe kualifikohet në cerekfinalet e Fa Cup

E publikuar: 20/02/2017 23:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali nuk gabon fiton 0-2 në transfertën e Garden Green Lane ndaj Sutton United dhe kualifikohet në cerekfinalet e Fa Cup. Përballë skuadrës gjysmë amatore që luan në Konferencë, formacioni i Arsene Wenger nuk hasi vështirësi dhe tashmë do të përballet në ruandin me një tjetër skuadër të kategorisë së 5-t, surprizën e vërtetë të këtij edicioni në Kupën e Mbretereshës, Lincoln City. Me një ekip të ndërthurur me lojtarë titullarë por edhe futbollistë të stolit, Arsenali bëri një paraqitje të mirë por shpërdoroi shumë raste sepse duhet ta kishte fituar më thellë këtë ndeshje. Ishte spanjolli Lucas Perez ai që zhbllokoi shifrat pas një kombinimi perfekt me Granit Xhakën në të 26-tën.

Arsenali krijoi shumë në minutat e mbetura të fraksionit të parë por nuk e gjeti më golin. Për të vulosur fitoren dhe kualifikimin e Arsenalit në cerekfinalet e Fa Cup, mendoi Theo Walcott që i asistuar nga Nacho Monreal realizoi një gol të bukur në të 55-tën. Deri në fund topcinjtë mund të kishin realizuar edhe dy apo 3 gola të tjerë por vendasit e Sutton United rezistuan duke u eliminuar me nder nga ky kompeticion, kjo edhe për faj të Arsenalit që shpërdoroi pafundsisht përpara portës.