Arrestohet Vali Corleone, në shtëpi i konfiskohen armë e kokainë

E publikuar: 15/04/2021 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dje është dashur të intervenojë në një rast të dyshimtë.

Me këtë rast është arrestuar qytetari nga Gjilani, i njohur ndryshe si ‘Vali Corleone’.

Lajmi për ndalimin e tij është konfirmuar për lajmi.net nga Zyra për Informim e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Poashtu është bërë e ditur se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar armë, municione si dhe narkotikë të llojit Kokainë.

“Arrestimi i tij ka ndodhur dje më datën 14, është bastisur shtëpia e tij. Është gjetur një armë automatike, 118 fishekë dhe substancë narkotike, dyshohet të jetë kokainë prej 2.9 gram”.

Pas arrestimit të të dyshuarit me vendim të prokurorit të shtetit, Vali Corleone është ndaluar për 48 orë.

Përpos kësaj ndaj të njëjtit do të bëhet edhe kërkesa për masën e sigurisë.