Arrestohet laboranti i IKSHPK-së, dyshohet për korrupsion

E publikuar: 30/12/2020 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar një laborant të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pas informacioneve se i njëjti i ka mundësuar një personi tjetër që të testohet për COVID-19, pa pritur në rend, dhe në këmbim të marrjes së rezultatit, një ditë më vonë, i ka kërkuar para në vlerë 20 euro.

Vendimi për ndalim të të dyshuarit është marrë për kohëzgjatje prej 48 orësh, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, me datë 30.12.2020, pas pranimit të informacioneve relevante lidhur me dyshimet se është duke u kryer (apo ka për t’u kryer) vepra penale e korrupsionit, menjëherë kanë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit/ve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës thekson se edhe në këtë periudhë të angazhimeve për menaxhimin e situatës së sigurisë së përgjithshme, po ndërmerr veprime aktive edhe në funksion të ofrimit të ndihmës për institucionet tjera shtetërore në të mirë të ruajtjes së shëndetit publik.

“Nuk do të tolerohet asnjë individ pavarësisht rolit dhe funksionit që ka, aq më tepër gjatë kësaj periudhe të pandemisë nëpër të cilën po kalojmë, të cenoj të drejtat e garantuara të qytetarëve tanë, në veçanti kur ato kanë të bëjnë me shëndetin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.