Arrestohen dy serbë për rrëmbimin e biznesmenit shqiptar nga Prishtina

E publikuar: 23/04/2018 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ivan S. 43-vjeç dhe Zoran J. 48-vjeç nga Kurshumlija, janë arrestuar nga policia serbe për shkak të rrëmbimit të tregtarit me pasuri të patundshme Shaqir P. 50-vjeçar nga Prishtina, për lirimin e të cilit nga partneri i tij i biznesit, kanë kërkuar 100 mijë euro, transmeton “Zeri.info”.

Siç thuhet në deklaratën e MUP-it serb, këta të dy janë arrestuar në Beograd nën dyshimin se e kanë arrestuar 50-vjeçarin në zonën e Rashkës, dhe më pas kanë kërkuar kompensim për lirimin e tij.

“Me punën e përbashkët të pjesëtarëve të njësisë për krime të rënda kriminale dhe policisë së Beogradit, Kralevës dhe Kragujevcit, është zbardhur rrëmbimi i një personi. Dyshohet se Z. J. dhe I. S. më 17 prill të këtij viti, në zonën e Rashkës kanë rrëmbyer të dëmtuarin, e kanë dërguar në një shtëpi në Arangjellovc dhe pastaj kanë kërkuar para për lirimin e tij.

Policia i ka arrestuar në Beograd me rastin e pranimit të parave”, thuhet në komunikatën e MUP-it serb, përcjell “Zeri.info”.

Gjatë bastisjes së vilës së I.S, janë gjetur një revole, në karabinë e gjuetisë dhe 16 copë fishekë, kështu që ndaj tij rëndon edhe akuza për armëmbajtje pa leje.

Sipas informatave jo zyrtare, prapa rrëmbimit të Shaqir P., nuk fshihen motive kombësie, por motive materiale.

LEXO EDHE: Për çka po përgatitet Serbia? Furnizohet me 4 avionë luftarakë (FOTO)

Sipas hetimeve të policisë, rrëmbyesve u kishte rënë në sy biznesmeni kosovar për shkak të udhëtimeve të tij të shpeshta në Rashkë.

Shaqiri merret me shitblerje të tokave në Kosovë dhe në jug të Serbisë dhe atë si ndërmjetës.

Sipas të dhënave që mund të gjenden në Internet, kompania e tij është shumë mirë e njohur edhe në Serbi. Këta kriminelë e kishin planifikuar mjaft mirë rrëmbimin, duke e kontaktuar se janë të interesuar për shitblerje të tokave, përcjell më tutje “Zëri”.

Kur Shaqiri kishte arritur në takimin e paraparë, dyshja e kishin rrëmbyer dhe e kanë mbajtur të mbyllur në një objekt në Arangjellovc.

Në këtë objekt, ata nga Shaqiri kishin nxjerrë informata rreth kontakteve të biznesit, duke hulumtuar se nga kush mund t’i nxjerrin më lehtë paratë për lirimin e tij.

Në fund kishin kontaktuar partnerin e tij të biznesit nga Beogradi dhe nga ai kishin kërkuar 100 mijë euro nën kërcënimin se nëse nuk paguajnë, Shaqiri do ta pësojë.

Partneri i Shaqirit kishte pranuar kushtet dhe kishte caktuar takimin në një restorant të njohur në Bulevardin e Mbretit në Beograd.

Ai paralelisht kishte kontaktuar edhe policijë, ku këta të fundit e kishin shpikur planin dhe e kishin këshilluar të merrte paratë e kërkuara, në mënyrë që rrëmbyesit të kapeshin me presh në dorë.

Në këtë takim, partneri i Shaqirit ishte paraqitur me 20 mijë euro kesh, ndërsa policia i ka arrestuar rrëmbyesit me rastin e pranimit të parave./ZERI/