Arrestohen dy persona që premtuan ndikim në ministri për dallavere me grante

E publikuar: 16/01/2023 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona, të cilët dyshohet se kanë pranuar para në emër të zyrtarëve të një ministrie, duke premtuar ndikim për futjen e dy aplikuesve në listën e përfituesve të granteve.

Në njoftimin e lëshuar për mediat, Policia njofton se arrestimi i të dyshuarve është kryer me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ”Ushtrim i ndikimit” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar. Dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka sqaruar se lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent