Arrestimi i spiunes serbe në Kosovë, profesori i sigurisë Avni Islami: Goditje e fortë ndaj tentativave për infiltrim

E publikuar: 01/03/2025 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami duke e komentuar për InfoSot arrestimin e spiunes serbe në Kosovë, ka thënë se ajo është një goditje e fortë ndaj tentativave për infiltrim.

Islami ka theksuar se rasti në fjalë konfirmon gatishmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të sigurisë, të cilat në mënyrë të pandërprerë monitorojnë dhe analizojnë veprimtaritë që mund të cënojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit.

“Arrestimi nuk është thjeshtë një veprim i izoluar, por pjesë e një angazhimi sistematik për të mbrojtur institucionet dhe rendin kushtetues nga çdo tentativë për depërtim të paligjshëm nga brenda apo nga jashtë vendit”, ka thënë Islami.

Sipas tij ky zhvillim është gjithashtu një sinjal i qartë për çdo individ apo rrjet që synon të veprojë në dëm të interesave të Kosovës.

“Reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tregon se sistemi mbrojtës funksionon dhe është i aftë të ndërhyjë në kohë për të parandaluar rreziqe më të mëdha”, ka shtuar ai.

Ndryshe arrestimi i të dyshuarës për spiunazh nga autoritetet e sigurisë ka ndodhur të premten dhe kjo e fundit është punonjëse e OSBE-së, dhe dyshohet se i ka shërbyer shërbimeve të inteligjencës serbe (BIA).

E lidhur me rastin, mbrëmë detaje ka dhënë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili ka deklaruar se e arrestuara dyshohet për një aktivitet kriminal.

“Pak më parë kemi marr një informacion se një person i gjinisë femërore është arrestuar në pikën kufitare, për shkak që ka qenë e dyshimtë, për një aktivitet kriminal, edhe e njëjta do të përcillet për procedurë të mëtutjeshme nga Prokuroria Speciale”, ka thënë mes tjerash ai.

Derisa në njoftimin e të premtes të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), thuhet se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës është arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.”

Sipas njoftimit të Prokurorisë,  me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale, serbja e arrestuar është ndaluar për 48-orë.

Po ashtu, është bërë e ditur se njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera materiale. /InfoSot.