Armët dhe uniformat e konfiskuara në veri, Sveçla: Strukturat paralele ende funksionale në Kosovë

E publikuar: 28/02/2025 19:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në një operacion policor që u zhvillua në fshatin Rodel të Leposoviqit, janë konfiskuar armë, municion, uniforma ushtarake dhe dokumentacion.

“Janë zbuluar uniforma të ndryshme, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione të cilat dëshmojnë se strukturat paralele vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodhur disa kilometra brenda kufirit Kosovë-Serbi, në fshatin Rodel. Në vazhdimësi po zhvillojmë aksione”, tha ai.

Sipas tij, duke qenë se për çdo ditë po zbulojnë armë, tregon se ende ka pjesëtarë të dy organizatave terroriste në territorin e Kosovës.

“Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radoiçiq, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t’i mbajë të gjalla, qoftë në Serbi, ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se aksioni është duke vazhduar, ndërsa një person është shoqëruar në stacionin policor për t’u intervistuar.

“Operacioni është akoma duke vazhduar, një person është duke u intervistuar”, tha ai.

Në konferencë për media, ai theksoi se një nga uniformat është e Mbrojtjes Civile, organizatë terroriste e shpallur nga Qeveria e Kosovës.

“Në mesin e uniformave të konfiskuara, një prej uniformave është e mbrojtjes civile, e shpallur terroriste nga qeveria e Kosovës. Ekziston mundësia që edhe dy armë janë diku”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, poashtu deklaroi se Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me “mbetje” të terroristëve të Mbrojtjes Civile.

“Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me këto mbetje, dhe këtë po e dëshmon çdo ditë, nuk jemi të frikësuar, jemi të kujdesshëm që çdo grupacion që vepron në Kosovë, të përballet me policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin”, u shpreh ai gjatë një konference për media në veri të vendit.

Ai është pyetur edhe për protestat në Serbi.

“Vuçiq një diktator i cili për interesat e tyre vazhdon te shtyp popullin e Serbisë por edhe të rrezikojë sigurinë në rajon. Sa më shpejt Serbia demokratizohet aq më mirë për rajonin”, shtoi ai.