Aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE i kotë pa njohjen nga pesë shtetet anëtare

E publikuar: 30/07/2022 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kosova-Eu-ks

“Po presim momentin më të përshtatshëm që deri në fund të këtij viti të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”.

Kjo, është deklarata të cilën e dha të martën ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Madje, tha se do të punojnë intensivisht që një aplikim i tillë të jetë i suksesshëm, shkruan Front Online.

Por, Gërvalla si duket “ka harruar” që pesë shtete e të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Dhe, pikërisht këto mund të jenë bllokuese që Kosova të këtë sukses në këtë rrugëtim.

Nga opozita thonë se aplikimet e tilla janë të kota.

Haliti: Duhet të punohet që të na njohin pesë shtetet mos njohëse, aplikime mund të bëjmë çdo ditë

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë për Front Online se është mirë që pushtetit po ka synim me i realizua dëshirat, por se për këtë çështje duhet të angazhohen që të ketë njohje nga pesë vendet e BE-së që se kanë njohur ende Kosovën.

Sipas tij, kërkesa mund të bëhen çdo ditë, por se së pari duhet të hiqen pengesat që qojnë deri në atë që me qenë pjesë e BE-së.

“Sa i përket lutjes, lutje dhe kërkesa mundet njeri me bë në Bashkimin Evropian për çdo ditë e po ashtu edhe në Këshill të Evropës, por problemi është që këto janë procedura të cilat shtetet që janë me traditë qindra vjeçare kanë prit me nga 20 apo 30 vjet siç ka prit edhe Shqipëria tash pas 30 vjete. Unë jam i bindur që Kosova do të jetë pjesë e Evropës, por ne kemi nevojë shumë me i hjek pengesat që janë në rrugë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian me angazhimin e politikave shtetërore dhe me angazhimin frontal të qytetarëve”, është shprehur Haliti, për Front Online.

Haliti: Do t’i shohim “veshët tonë” deri sa të bëhemi anëtar të Këshillit të Evropës

Haliti, ka folur edhe për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës duke thënë se pa njohjen e pesë shteteve dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë nuk mund të hapen rrugët as për të biseduar.

Sipas tij, njëjtë ka ndodhur edhe me aplikimin në Këshill të Evropës.

“Nuk mundesh me kërkua ti e me bë lutje siç e bëmë lutjen në Këshill të Evropës sepse realisht në Këshill të Evropës ata duhet vet me të thënë bëjë kërkesën sepse ti e bën por ajo kaq shumë zgjat sa kemi me i pa veshët tonë deri sa të bëhemi anëtar të Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Haliti, për Front Online.

Bytyqi: Nëse Qeveria nuk punon në njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, aplikimi për në BE i kot

Qëndrim të njëjtë sikurse të Halitit ka edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Ajo thotë për Front Online se për t’u bërë anëtare e BE-së, është procedurë komplekse.

Madje kjo për Kosovën bëhet edhe më shumë kur dihet që pesë shtetet që janë pjesë e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur ende shtetin tonë.

“Sigurisht se për Kosovën është shumë lajm i mirë aplikimi sidomos nëse kjo pason edhe me marrjen e statusit kandidat por duke ditur që janë pesë shtete mos njohëse të shtetit tonë, atëherë nëse qeveria, nuk ka punuar në këtë drejtim, për të parë gjendjen faktike, aplikimi do të ishte i kot. Unë nuk po shoh që kjo qeveri është duke punuar në këtë drejtim”, është shprehur Bytyqi, për Front Online.

Sipas saj, kjo Qeveri me shumë është e zënë në prodhimin e skandaleve se sa duke punuar drejt anëtarësimit të vendit në rrugën drejt BE-së.

Demhasaj: Aplikim koti nëse pesë shtetet e BE-së, nuk na njohin

Aplikim të kotë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian nëse ndodhë pa njohjen e pesë shteteve po e quan edhe analisti politik, Arton Demhasaj.

“Aplikimin ne mundemi me bë edhe tash por çfarë efekti mundet me pas ai aplikim derisa ne e dimë që janë pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën. Kështu që çdo aplikim që bëhet pa u koordinua mirë me Bashkimin Evropian dhe pa u sigurua që pesë vendet që nuk e njohin Kosovën nuk e bllokojnë është aplikim koti”, është shprehur Demhasaj, për Front Online.

Sipas tij, aplikimi mund të jetë thjeshtë sa për të thënë se po ndodhë, por nuk mund të ketë efekt.

Madje, çështje tjetër që e bllokon aplikimin është edhe marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pa pas marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë aplikimet mund të ndodhin por pa rezultate, sepse një shtet mjafton me ekzistua në Bashkimin Evropian që nuk e njeh dhe ai mundet me blloku e le më kur janë pesë shtete”, ka thënë Demhasaj.

Që Kosova do të aplikoj për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian deri ën fund të këtij viti ditë më parë e ka thënë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.