Apeli kthen në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale të rastit të Sokol Bashotës

E publikuar: 31/10/2019 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale kundër të akuzuarve S.B dhe E.B.

Vendimi erdhi me rastin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, por edhe sipas detyrës zyrtare, transmetn Klan Kosova.

Gjykata Themelore në Pejë, me aktgjykimin e datës 29.05.2019, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit S.B. dhe E.B. për shkak të veprës penale ”Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” dhe i kishte gjykuar ata me dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej 6 muaj si dhe dënim me gjobë në të holla në shumë prej 1000 euro.

Gjykata e Apelit, pasi ka shqyrtuar më vëmendje aktgjykimin e shkallës së parë, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve si dhe shkresat e lëndës, ka ardhur në përfundim se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që aktgjykimi është në kundërshtim me arsyetimin.

Gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare ndërsa ato që janë dhënë janë të paqarta dhe të pa mjaftueshme për të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, theksohet në kumtesë.