Anulohet takimi i ministrave të jashtëm të Kinës e Japonisë pas deklaratës së G7-s mbi Tajvanin

E publikuar: 04/08/2022 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pekini ka njoftuar anulimin e një takimi ndërmjet ministrave të jashtëm të Kinës e Japonisë në Kamboxhia, ku të dy kryediplomatët ndodhen për të marrë pjesë në një varg veprimtarish të ASEAN-it.

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi i bëri thirrje të enjten bashkësisë ndërkombëtare që të kundërshtojë çdo lëvizje që sfidon parimin e “një Kine” dhe të bashkohet për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Wang Yi hodhi poshtë akuzat e pabaza të G7-s kundër veprimeve të arsyeshme dhe të ligjshme të Kinës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.
Gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e ministrave të jashtëm Kinë-ASEAN në Kamboxhia, ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e Pekinit ndaj provokimit nga ana e ShBA-së të sovranitetit të Kinës.
Wang vuri në dukje se Kina ka bërë përpjekje maksimale diplomatike për të shmangur krizën e imponuar ndaj saj dhe nuk do të lejojë kurrë dëmtimin e interesave të veta thelbësore dhe procesin e përtëritjes kombëtare.

Masat e gjithanshme që ka marrë dhe do të marrë Kina, janë “kundërmasa mbrojtëse të nevojshme dhe në kohë”, që janë shqyrtuar e vlerësuar me kujdes, tha ministri i Jashtëm, duke shtuar që këto masa synojnë të mbrojnë sovranitetin e sigurinë kombëtare dhe janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe të brendshme.