Ambasadori : Kina i jep përparësi bashkëpunimit ndërkombëtar për të trajtuar problemet e përbashkëta

E publikuar: 19/12/2021 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori kinez në ShBA Qin Gang u shpreh në një intervistë të botuar të premten se është një ndër përparësitë diplomatike të Kinës të bashkëpunojë me ShBA-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje të bazuara në shkencë për problemet e përbashkëta si pandemia e COVID-19 dhe ndryshimi i klimës.

“Qëllimi i diplomacisë kineze në ditët e sotme është të forcojë paqen dhe zhvillimin e botës. Ne vlerësojmë rolin e shkencës dhe teknologjisë në diplomaci,” tha ambasadori Qin në një intervistë me drejtoren e Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë Shkencore dhe redaktoren ekzekutive të revistës “Shkenca dhe diplomacia” Kim Montgomery.

Sipas intervistës , Qin Gang tha se Kina është e gatshme të kryejë bashkëpunim ndërkombëtar në fushën hapësinore me vendet e tjera mbi bazën e respektit të ndërsjellë, hapjes,

gjithëpërfshirjes, barazisë dhe përfitimeve të ndërsjella.

Ambasadori Qin u shpreh se Kina ka ftuar të gjitha vendet anëtare të OKB-së të paraqesin projekte bashkëpunimi pilot në stacionin hapësinor kinez, duke ofruar një model të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për eksplorimet e ardhshme të hapësirës. Deri tani janë përzgjedhur 9 projekte nga 17 vende.

Kina ka ndarë informacion e përvojë dhe ka forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për kërkim-zhvillimin e përbashkët të vaksinave, trajtimin dhe testimin, theksoi Qin Gang.
Ai vuri në dukje po ashtu se Kina ka krijuar partneritet me 30 vende në bashkëpunimin lidhur me vaksinat kundër COVID-19 për të promovuar ndarjen e drejtë ndërkombëtare të vaksinave. “Shpresojmë se Kina dhe ShBA-ja do të forcojnë bashkëpunimin shkencor e teknologjik për ta ndihmuar botën ta kapërcejë pandeminë sa më shpejt,” vuri në dukje ambasadori.

Lidhur me ndryshimet klimatike, ai tha se ka shumë hapësirë bashkëpunimi për Kinën dhe ShBA-në.
Të dyja vendet po kalojnë drejt energjisë së rinovueshme më shpejt se çdo vend tjetër i botës dhe po kërkojnë të arrijnë përparime në teknologjitë e energjisë së pastër.

Ambasadori u shpreh se Kina ka miratuar një sërë strategjish dhe veprimesh për të përballuar ndryshimin e klimës pavarësisht vështirësive ekonomike dhe shoqërore.
Duke përmendur bashkëpunimin e Kinës me Komoret në luftën kundër malaries, Qin theksoi se Kina ka ndihmuar vendet në zhvillim të lokalizojnë teknologji të konsoliduara dhe të zbatueshme, të krijojnë laboratorë të përbashkët, të kryejnë kërkime të përbashkëta, të trajnojnë banorët vendorë mbi teknologjinë e aplikueshme dhe të kryejnë shkëmbime midis shkencëtarëve të rinj