Ambasadori jorezident i Australisë ia dorëzon kredencialet Presidentit Thaçi

E publikuar: 19/12/2016 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit jorezident të Australisë në Kosovë, Brendon Charles Hammer.
Duke e uruar për detyrën e re, presidenti Thaçi theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Australisë për Kosovën, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Ne do të punojmë edhe më shumë në forcimin e marrëdhënieve tona bilaterale. Presim mbështetjen tuaj për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori jorezident i Australisë në Kosovë, Brendon Charles Hammer, premtoi se do të punojë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.

Ambasadorin Hammer, presidenti Thaçi e falënderoi edhe për mbështetjen që Australia i ka dhënë procesit të njohjes së shtetit tonë, duke e shtrirë ndikimin e saj tek shtetet mosnjohëse.