Ambasadori i Qipros në Beograd thotë se s’kanë ndryshuar qëndrim për Kosovën: S’duhet të marrim vendime nën presion

E publikuar: 14/05/2023 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu, tha se vendi i tij ka “qëndrim konsistent për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent, dhe jo vetëm sepse kemi një problem të ngjashëm. Për të qenë të besueshëm, duhet të udhëhiqemi nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai, raportojnë mediat serbe.

Ai foli edhe për “pasojat” e këtij qëndrimi.

“Pavarësisht nga pasojat ekonomike apo të tjera, shtetet nuk duhet të marrin vendime nën presion”, tha ai Teofilaktu.

Ambasadori qipriot në Beograd, i cili është në fund të mandatit të tij diplomatik, shtoi se Qipro mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbis, duke përmendur zbatimin e “dispozitave që kanë të bëjnë me komunat serbe në Kosovë”.

Qipro është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe së fundmi votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.