Ambasada e ShBA-së në Prishtinë i përgjigjet Vulinit për mohimin e Masakrës së Reçakut

E publikuar: 11/12/2021 13:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka dënuar mohimin e Masakrës së Reçakut të cilën e bëri dje ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, një zëdhënës i ambasadës ka thënë se mizoritë që janë kryer në masakrimin e civilëve në Reçak janë të dokumentuara mirë.

“Mizoritë që ndodhën në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrimin e civilëve, janë mirë të dokumentuara. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës u sjell dhimbje të mbijetuarve, i çnderon viktimat dhe i zgjat përçarjet e vazhdueshme që vazhdojnë t’i pengojnë pajtimin, paqen dhe mirëqenien afatgjate për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së ShBA-së për Express.

Ish-zyrtari i partisë JUL që udhëhiqej nga gruaja e Millosheviqit, Aleksander Vulin, e ka quajtur “trillim” dhe “gënjeshtër” masakrën e Reçakut që forcat policore dhe ushtarake serbe kishin kryer më 15 janar në fshatin Reçak të Shtimes.

Deklarata e Vulinit mori reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe nga zyrtarët e lartë në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së në një deklaratë tha se s’ka vend për të mohuar atë çfarë ka ndodhur në Reçak.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë. E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, ka thënë ai.

Ndërkaq sot, shefja e shtetit, Vjosa Osmani e quajti mendësi të Millosheviqit mohimin e krimeve në Kosovë.

“Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, thuhet në deklaratën e presidentes Osmani.

E para e shtetit ka thënë se ka qenë pikërisht ngjarjet në Reçak dhe masakrat e tjera, ato që kanë nxitur ndërhyrjen e NATO-së për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, ka thënë Osmani.

Mohimin e Masakrës së Reçakut nga ana e ministrit të Aleksander Vuçiqit dje i ka reaguar edhe ish-ambasadori i OSBE-së dhe dëshmitari kyç i Masakrës së Reçakut, William Walker.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, ka thënë Walker.

Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999