Alarmon Emmerson: Specialja po rrezikon të drejtat kushtetuese të Kadri Veselit

E publikuar: 03/08/2022 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Një protokoll i çuditshëm për kontaktin me dëshmitarë që u miratua para pak ditësh nga gjyqtari në Gjykatën Speciale ka ngritur shqetësimin serioz të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Ky i fundit, në një parashtresë të dërguar para disa ditësh në Gjykatë, ka ngritur alarmin se rregullativat e vendosura nga gjyqtari me kërkesë të Prokurorisë, mund të përbëjnë shkelje të rëndë ndaj të drejtave të Veselit në gjykim, përcjell Klankosova.tv.

”Është e qartë dhe e vetëkuptueshme se të gjitha çështjet e propozuara ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e procedurës, duke cenuar potencialisht të drejtën e z. Veseli për një gjykim të drejtë siç mbrohet nga Kushtetuta dhe instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në parashtresën e Emmerson.

Për më tepër, Emmerson ka ilustruar se si me vendimin për kontaktin me dëshmitarë, është thyer edhe parimi bazë për ”barazinë e armëve” në një process gjyqësor.

Avokati britanik ka theksuar se si Gjykata i ka dhënë të drejtë prokurorisë në kërkesën e saj që mbrojtjes t’i mohohet liria në zgjedhjen e metodologjisë së kontaktimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, ku përshihen takimet jo zyrtare dhe jo të regjistruara.

”Nga parashtresat e Mbrojtjes është e qartë se e drejta për barazinë e armëve do të cenohej duke i mohuar Mbrojtjes të njëjtën “liri në zgjedhjen e metodologjisë së kontaktimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, e cila përfshinte takime jozyrtare dhe jo të regjistruara”. Më tej, në vend që të tregohej çdo ”shqetësim hipotetik”, mbrojtja iu referua rasteve specifike dhe objektive të cilat do t’i siguronin SPO-së një avantazh taktik të padrejtë”.

Emmerson specifikon siç shkruan lajmi.net, se me vendimin e marrë nga gjyqtari paraprak, prokuroria do të jetë e informuar për çdo hap të fshehtë të avokatëve, përfshirë atë se cilët dëshmitarë i ka mbrojtja në prioritet, si dhe do t’i jepej njohuri prokurorisë për besueshmërinë e dëshmitarëve dhe linjat e mundshme të marrjes në pyetje shumë përpara gjykimit.

Kujtojmë se prokuroria kishte kërkuar që të ketë qasje në secilën intervistë, të dëshmitarëve, teksa Gjykata e kishte pranuar të njëjtën.

Gjithsesi, gjykatësi kishte vendosur si kusht që ZPS-ja t’i drejtohet trupit gjykues mekërkesë për të marrë pjesë në ato intervista.

Edhe pse në parashtrime përmendet ”pala thirrëse” dhe ”pala kundërshtare”, te çështja e intervistimit të dëshmitarëve kjo vlen më së shumti për mbrojtjen. Kjo meqë, prokuroria veç se ka përfunduar pjesën më të madhe të intervistave me dëshmitarët.