I akuzuari për ryshfet: Borxhet i kam kthyer

E publikuar: 20/05/2017 10:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në gjykimin ku Ish- zyrtari i lartë në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK) dhe gjashtë personat tjerë akuzohen për ryshfet, të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari për ryshfet, ish- zyrtari i lartë në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), Gazmend Isufi, gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se të gjitha borxhet e marra i ka kthyer.

“Këta persona më kanë dhënë borxh dhe borxhin që e kam deklaru në prokurori e kam kthy, tani nuk kam asnjë obligim tjetër”, tha Isufi.

Kjo u konstatua edhe nga i akuzuari tjetër, Veton Morina, i cili tha se paratë të cilat ia ka kërkuar borxh Gazmend Isufi, ia ka kthyer.

“Po, m’i ka kthyer”, tha Morina, duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit Ibrahim Berisha.

Po ashtu, e akuzuara Nerxhivane Daka, tha se i ka dhënë 1000 euro borxh Isufit dhe të njëjtat ia ka kthyer, por me vonesë.

Sipas Dakës, arsyeja se pse ia kishte huazuar këto të holla ishte për shkak se Isufi i kishte thënë “jam keq, kam nevojë për të holla”.

E huazimin e këtyre të hollave, Daka tha se e kishte bërë për hir të shoqërisë.

Pyetjes së avokates së saj, Fehmije Gashi-Bytyqi, se a i ke dhënë borxh apo të ka premtuar se do ta punësojë dikë, Daka u përgjigj “vetëm borxh, nuk kam nevojë për punësim pasi që të gjithë familjen e kam të punësuar”.

Daka mohoi t’ia ketë dhënë këto para në formë ryshfeti për çka edhe akuzohet.

“Asnjëherë ryshfet, ka qenë huazim në mënyrë miqësore”, deklaroi e akuzuara Daka.

Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit tjetër Agim Zeqiri, ai deklaroi se i kishte drejtuar një shkresë menaxhmetit të Postës.

Në atë shkresë, ai tha se përshkruhej kontakti me Isufin, marrëveshja e cila ka qenë, kërkesa për ta punësuar një person, shumën e cila ishte kërkuar në formë të dhuratës për komisionin në fjalë, si dhe kohëzgjatjen se sa ka pritur.

“Po ashtu kam shkruar se kam rënë në lajthitje të tij”, tha Zeqiri.

Ai theksoi se paratë të cilat i kishte dhënë, i ka dhënë me kërkesën e të akuzuarit Gazmend Isufi.

E për këtë deklaratë, Isufi paraqiti vërejtje.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, Zyhdi Hajzeri dhe Gëzim Curri, shfrytëzuan të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje që nga fillimi i dhënies së mbrojtjes.

Në seancën e radhës pritet të jepet fjala përfundimtare.

Gazmend Isufi ngarkohet me akuzën që si drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në periudhën 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve në Postën e Kosovës.

Të akuzuarit tjerë në këtë rast janë edhe Agim Zeqiri, Zyhdi Hajzeri, Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuçi, të cilët nga prokuroria akuzohen për dhënie të ryshfetit./Kallxo.com