Akuzohet se liroi të kërkuarin për vrasje, zbulohet mesazhi që implikon gjyqtarin Shkelqim Miri

E publikuar: 11/11/2017 10:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë 3 prova që implikojnë gjyqtarin Shkëlqim Miri në marrjen e 20 mijë eurove, për ti ndryshuar akuzën Gentjan Dodës. Burime të Report TV nga Prokuroria e Krimeve të Rënda sqarojnë se kanë në dorë pamjet filmike të një kamere sigurie në Fushë-Krujë. Në këto pamje duket sekseri i cili merr 20 mijë euro nga një i afërm i Gentjan Dodës. Burimet konfirmojnë se në këto pamje është njëri prej sekserëv4 Kujtim Miri ose Alban Buçi.

Gjithashtu pas marrjes së 20 mijë eurove, Gentjan Doda merr një mesazh në Whatssapp ku i thuhet se “çështja do rregullohet brenda disa javësh”. Mesazhi Gentjan Dodës është dërguar nga një tjetër i dyshuar se kishte dijeni për dhënien e lekëve.

Prokuroria ka improvizuar sekuestrimin provizor të këtij celulari, për të marrë mesazhet, duke i thënë personit në fjalë se celulari dyshohej si i vjedhur. Pas marrjes së komunikimit me Gentjan Dodën, celulari i është rikthyer brenda disa orësh personit në fjalë.

Por prova më e rëndësishme që kanë në dorë hetuesit janë edhe disa tabulate telefonike dhe mesazhe të gjyqtarit Shkëlqim Miri. Ky i fundi ka komunikuar në telefon me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe sekserin Alban Buçi.

Ende nuk dihet përmbajtja e këtyre komunikimeve, por burimet theksojnë se ato lidhen pikërisht me marrjen e 20 mijë eurove, për ti ndryshuar akuzën Gentjan Dodës nga “Vrasje” në “Plagosje”.

Pasditen e së premtes, policia ka ekzekutuar dhe dy vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda për arrestimin e dy persona të tjerë të dyshuar si sekserë të gjyqtarit në marrjen e pagesës prej 20 mijë euro. Në prangat e policisë ka rënë kushëriri i gjyqtarit Kujtim Miri si dhe Alban Buçi.

Policia e vuri në pranga Shkëlqim Mirin mbrëmjen e së enjtes me akuzën e Korrupsionit. Përpara hetuesve, gjyqtari është përlotur, duke thënë se paratë ishin të një të afërmi dhe se ai kishte vetëm 3 milionë lek të reja kursime.

Pritet që gjyqtari i Apelit të Tiranës Shkëlqim Miri, të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me akuzën. /Shqiptarja.com