Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” rreth akuzave për pazarllëqe në burgje rreth rastit të Sami Lushtakut. Shpesh është raportuar për shumë procese hetimore dhe gjyqësore ku i përfshirë ka qenë Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku. Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin në maj të vitit 2014 janë arratisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Aso kohe ishte bërë spektakël i madh rreth kësaj arratisje, për të cilën Prokurori i EULEX-it, Romulo Mateus ka ngritur aktakuzë ndaj 24 personave, kundër të arratisurve, kundër ish-krerëve dhe disa zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe disa mjekëve. Ndër të akuzuarit është edhe Emrush Thaçi ish-Drejtor i Shërbimit Korrektues, i cili në këtë pozitë nuk arriti të qëndroj as një vit, pasi dha dorëheqje. Sipas aktakuzës, Emrush Thaçi, ishte emëruar Drejtor i Shërbimit Korrektues, vetëm pasi në këmbim të kësaj pozite, kishte keqpërdorur detyrën, duke i mundësuar Sami Lushtakut me shokë arratisjen nga Spitali i Prishtinës. Kjo ngritje në detyrë, sipas aktakuzës, ishte bërë që të ketë mundësi më të mëdha për t’i ndihmuar dhe për t’i privilegjuar grupin e të akuzuarve në krye me Sami Lushtakun. Sonte kemi zhvilluar një intervistë me Emrush Thaçin rreth të gjitha akuzave që rëndojnë ndaj tij dhe akuzave konkrete që ai ngritë ndaj drejtuesve aktual të Shërbimit Korrektues, për të cilët thotë se gjithë këtë rast ia kanë montuar së bashku me një zyrtar të EULEX-it. Çfarë thotë Thaçi për akuzat e ngritura ndaj tij dhe Sami Lushtakut? Si e kishte ndihmuar ai Lushtakun? Çfarë privilegjesh i kishte krijuar Lushtakut me shokë? Cila kishte qenë përgjegjësia e Thaçit në rastin e Lushtakut? Ndër të tjera, do të ndiqni akuzat e Emrush Thaçit ndaj zyrtarëve të lartë të Shërbimit Korrektues si Sokol Zogaj dhe Burim Buleshkaj. Cilit klan i shërbejnë Zogaj dhe Buleshkaj sipas Emrush Thaçit? Cilat janë lidhjet e tyre me individ me të kaluar kriminale? Kush i ka mbrojtur ata, sipas Thaçit, për veprimet e shumta të kundërligjshme? Kush është zyrtari i EULEX-it, i cili akuzohet me emër nga Emrush Thaçi për montim të aktakuzës? Këto dhe shumë përgjigje e akuza mund t’i ndiqni në intervistën me ish-drejtuesin e burgjeve, Emrush Thaçi.
Si zakonisht gjatë emisionit do të ndiqni rubrikën e monitorimit të rasteve të korrupsionit të përgatitur nga hulumtuesit e emisionit “Betimi për Drejtësi”.