Akuzat e LVV-së ndaj Vlora Çitakut, “takimi” me ish-agjentin e arrestuar ishte ngjarje publike në FBI

E publikuar: 20/02/2023 18:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje po i kërkon llogari nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku për “lidhjet” me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit në FBI, i cili u arrestua pasi dyshohet se kishte marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

Por, fotografitë e publikuara nga deputeti i LVV-së, Artan Abrashi ku shihet Vlora Çitaku dhe Charles McGonigal janë bërë në një ngjarje publike në FBI, gjatë kohës kur nënkryetarja e PDK-së shërbente si ambasadore e Kosovës në SHBA.

“Ambasadorja Vlora Çitaku foli dje në auditorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) për rolin e domosdoshëm që SHBA-të luajnë në botë. SHBA-ja është një partner kyç për vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, në luftimin e sfidave rajonale dhe globale”, thuhet në një postim të Ambasadës së Kosovës në Washington, më 5 tetor 2017.

Duke përmendur “rastin McGonigal”, Abrashi tha se ka parë tek përmenden politikanë nga Kosova që kanë pasur lidhje me ish-zyrtarin e lartë të FBI, duke i kërkuar Çitakut llogari për “lidhjet” me atë.

“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, shkroi deputeti i LVV-së në Facebook.

Për këtë ngjarje kishin raportuar edhe mediat në Kosovë, në atë kohë.

Çitaku i ishte drejtuar me një fjalim Byrosë Federale të Hetimeve, respektivisht agjencisë kryesore hetimore të Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Ish-kryediplomatja kosovare ishte takuar edhe me agjentë të FBI, ndër të cilët edhe McGonigal.

“Roli i SHBA-ve në luftimin dhe parandalimin e kërcënimeve është i pazëvendësueshëm. Nga lufta kibertentike deri tek lufta kundër terrorizmit, roli i SHBA-së në pjesën tonë te kontinentit është vendimtar”, ishte shprehur Çitaku.

Ish-agjenti i FBI, McGonigal, akuzohet se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe se ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, të cilat thuhet se nuk i ka raportuar sipas rregullave.