Aktivistja debat me kryeministrin në New York: Pikturat i përdor për politikë! Rama: Vetëm ti s’i kupton reformat tona

E publikuar: 13/11/2016 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Edi Rama e ka ndjekur nga pas politika edhe në New York, atje ku ka hapur një ekspozitë personale pikturash.

Themi kështu, pasi i pari i qeverisë është vënë në siklet nga një aktiviste, e cila e akuzoi atë se po bënte propagandë politike me pikturat e tij. Aktivistja e majtë, Eriola Pira, me banim në Bruklin të Nju Jorkut ndoshta se ka pritur, por edhe përgjigjja e kryeministrit ishte pak e ashpër, kur i tha se ajo ishte e vetmja në atë sallë që nuk kuptonte!

SHIKONI   DEBATIN E PLOTE Eriola Pira: Siç doli qartë gjatë diskutimit sot pasdite, arti i Ramës është i ndërthurur ngushtë me politikën. Por kjo ka lidhje në radhë të parë me statusin e tij si politikan dhe jo me politikat e tij.

Në fakt, siç e provon vetë arti që pamë, është statusi i tij si politikan që provon dorën me art që na ka mbledhur këtu. Politika në përgjithësi dhe veçanërisht politikat e tij mungojnë krejt, janë të padukshme, ose të shpëlara me art.

Dhe meqë Rama tani së fundi po njihet edhe për mënyrën si i shpërfill kritikët e vet dhe ata që nuk pajtohen me të, pavarësisht nëse nga opozita apo nga shoqëria civile, unë po ia drejtoj pyetjen – në mënyrë njëfarësoj retorike – publikut: Sa prej jush dinë diçka për politikën e Ramës, përtej propagandës së ‘bojatisjes së qytetit’? Dhe më lini t’u ndihmoj me këtë.

Sepse ka pasur shkatërrim sistematik të institucioneve publike, të tilla si të arsimit të lartë, që ka çuar në burgosjen dhe përndjekjen e protestuesve studentë; Korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë dhe përzierje sistematike me mafien e ndërtimit dhe të drogës; Kontroll autokratik ndaj mediave, që është pasuar nga censurimi i mediave alternative dhe sociale; Përdorimi i artit si vegël propagandistike për t’i estetizuar të gjitha këto probleme e ka vënë artin në pozicionin më të vështirë, madje edhe po të përfshijmë në krahasim 8 vjetët e një qeverie të djathtë”.

Pyetje nga salla: Kush jeni ju?

Eriola Pira: Kush jam unë? Një jo­sorosiane.

LEXO:  Pyetjet që vunë në siklet Edi Ramën në ekspozitën e pikturave në New York (VIDEO)

Edi Rama: Po ku është pyetja? Apo ishte thjesht një fjalim?!

Eriola Pira: Jo e kam një pyetje, për protestuesit që të qëlluan me vezë, si mund të protestojnë kur ju i fusni në burg?!

Edi Rama: Ok! U do jap një informacion të thjeshtë për të gjithë njerëzit që janë këtu sot dhe dëgjuan këtë fjalim. Shqipëria mori para disa ditësh rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-­në.

Dhe kjo nuk është në ditët e sotme një gjë kaq e thjeshtë dhe aq më tepër që vendi nuk u ishte afruar negociatave. Pra nëse Komisioni Europian, i cili nuk njihet si një grabitqar i mirë po përtyp gjithçka sa the ti dhe përsëri i hap negociatat me ne, atëherë kjo gjë duhet të bëhet çështje globale.

Por unë mendoj se problemi është shumë i thjeshtë. Ti nuk kupton!

Kjo është shumë e thjeshtë. Unë mendoj se të gjithë këtu e kuptojnë, vetëm ti nuk e kupton. Kjo është përgjigja ime, se në të kundërt si do t’i hapte KE-­ja negociatat me Shqipërinë kur vendi ynë është ashtu siç e përshkrove ti?! Ne po bëjmë reforma që nuk janë bërë për 20 vite. Ne e filluam nga pika zero. Njerëzit nuk paguanin energjinë elektrike ose e vidhnin atë, ndërsa tani paguajnë të gjithë. Rritja ekonomike tashmë është rreth 3 %.

Ne tani nuk paguajmë më 100 mln dollarë çdo vit nga buxheti i shtetit për këto humbje. Kështu ne po ndërtojmë një shtet që po funksionon dhe sigurisht që ka shumë gjëra për të rregulluar dhe nuk mbaron me kaq. Por ne jemi në një pozicion të atillë sot sa askush nuk e imagjinonte para tre vjetëve. Ky është sigurisht realiteti. Dhe sa i përket lirisë së fjalës, edhe Komisioni Europian e ka nxjerrë në pah këtë veçori. Ju jeni shembulli më i mirë që mund të merret. Asgjë nuk do të ndodhë ty.

Ti do jesh qytetare mjaft e lumtur pasi e teprove sot, kështu që mos u bëj merak.