Aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim e legalizim i përmbajtjes së rreme

E publikuar: 11/01/2023 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë ndaj 3 personave, të cilët kanë vënë në lajthim një notere.

“I pandehuri me inicialet E.C ka falsifikuar dokumentin publik (pasaportën e vëllait të tij), duke e hequr fotografinë e këtij të fundit dhe vendosur fotografinë e tij, me të dhënat personale të vëllait, ashtu që me këtë e ka vënë në lajthim noteren M.K., për të legalizuar një çështje të pavërtetë”. thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Personi me inicialet E.C ka mashtruar disa persona duke iu shitur pasuri të paluajtshme nga viti 2018 deri më 27 janar 2022 me qëllim të përfitimit persona.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.C., nga viti 2018 e deri më 27 janar 2022, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore është prezantuar rrejshëm dhe i ka fshehur faktet duke falsifikuar autorizimin, me të cilin e ka autorizuar avokaten tani të ndjerën T.Q., për të lidhur kontrata mbi shitblerjen e paluajtshmërisë, si dhe duke e vënë në lajthim noterin S.B., ashtu që i ka nxitur disa të dëmtuar të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe të njëjtëve ua ka prezantuar një pronë në lagjen Matiçan si të tijën, duke ua shitur në vlerë prej 7 mijë euro për një ari dhe në vitin 2018 ka marrë nga të dëmtuarit shuma prej 65 mijë euro, 30 mijë euro dhe prej të dëmtuarit tjetër shumën prej 4 mijë e 50 euro, në emër të kaparit”, thuhej në njoftim.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.