Aksioni “Gropa” në Ferizaj, sekuestrohen edhe gati 50 kilogramë heroinë

E publikuar: 31/08/2022 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka vazhduar me operacionin e koduar “Gropa”, në të cilin më 23 maj të këtij viti kishte arrestuar 15 persona, gjashtë prej tyre shtetas turq dhe nëntë shtetas kosovarë, si dhe kishte konfiskuar 67.71 kilogramë narkotikë të llojit heroinë.

Nga informacionet, hetimet dhe të gjitha veprimet e ndërmarra në teren, dyshohej se edhe mbi 50 kilogramë substancë bazë e heroinës (e papërpunuar) fshihej nga të dyshuarit.

Ndaj, policia njofton se një ditë më parë, të martën, ka vënë në zbatim planin taktik, i cili është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Sipas planit operacional janë realizuar dy kontrolle në fshatin Doganaj të Ferizajit, kontrolli i parë është kryer në një depo – punëtori, objekt përcjellës i shtëpisë së të dyshuarit V. N, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thuhet në komunikatën për media, transmeton Telegrafi.

“Ndërsa kontrolli i dytë është kryer në një shtëpi të pabanuar, e demoluar, ku gjatë kontrollit janë gjetur dy thasë najloni, në brendësi të të cilëve kishte thasë të letrës, të mbushur me substancë pluhur, ngjyrë kafe, e dyshuar për narkotikë të llojit heroinë”.

Thasët dhe substance thuhet se janë të ngjashëm me ato të konfiskuara më datë 23.05.2022, në operacionin e koduar “Gropa”.

“Në vendin e ngjarjes ka dal prokurori kompetent dhe Krim-teknika e regjionit Ferizaj, të cilët kanë bërë administrimin e provave, përfshirë nxjerrjen e gjurmëve të mundshme latente, ku pas marrjes së mostrave, testi fushor rezulton pozitiv në OPIAT (bazë e heroinës)”.

“Në cilësinë të provave materiale, janë konfiskuar: thes letre, ngjyrë kafe, e mbushur me substancë pluhur, ngjyrë kafe, e dyshuar për Heroinë (bazë e heroinës), me peshë 25.40 kg. Thes letre, ngjyrë kafe, e mbushur me substancë pluhur, ngjyrë kafe, e dyshuar për Heroinë (bazë e Heroinës ), me peshë 25.50 kg”.