“Aksidenti në Shkallnuer, Fatos Nano përplasi për vdekje 70-vjeçarin dhe u zhduk”

E publikuar: 13/08/2017 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e djeshme në aksin Durrës-Tiranë humbi jetën një 53-vjeçar pasi u përplas për vdekje nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi.

Ky aksident na riktheu në vëmendje aksidentin e Fatos Nanos në shkurt të vitit 2001.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19 të darkës ndërkohë në raportimet e asaj kohe shkruhet se një makinë rrëmben një kalimtar dhe e përplas për tokë.

Një dëshmitar ka parë gjithçka nga pika e karburantit pranë aksidentit. Në vendngjarje vjen policia rrugore, por ajo që identifikohet është vetëm viktima. Petrit Islami 70 vjeç.

Hetimet dosja

Hetuesi: Më shpjegoni edhe një herë të vërtetën sipas asaj që di.
Robert: Ngjarja ka ndodhur në orën 7.30 te datës 3 shkurt 2001. Kam qenë në lëvizje.

Më njofton patrulla për një aksident: është gjetur një person në asfalt. Kam shkuar menjëherë atje. Njoftova oficerin e rojes .Vajti grupi. Shkova tek vendi i ngjarjes. Atje mora vesh se kishte vdekur.

Hetuesi: Në çfarë asfalti ndodhi kjo?

Robert: Në Shkallnuer. Ishte kohë me shi. Kam parë vëndin e ngjarjes. Me përjashtim të disa copave të xhamit, që për mendimin tim ishin copat e pasqyrës së krahut të djathtë nuk kam parë gjë tjetër.

Hetuesi: Personi ishte i vdekur, apo e kishin nisur për në spital?

Robert: Ishte nisur për në spital.

Hetuesi: Patrullën e keni gjetur aty?

Robert: Jam lidhur direkt me Tiranën me 63-shin. Zoti Toska e di mirë këtë se kush është dhe pas një ore më kthyen përgjigje se nuk po vjen asnjë makinë të dhënat e së cilës pak a shumë i kishim përshkruar. Atëherë kam marrë makinën në vend ngjarje dhe kam shkuar deri ne Romanat. Nuk gjeta gjë. U ktheva, u lidha prapë me Tiranën (63), ka ndërhyrë pastaj nëndrejtori i Policisë së Tiranës.

Hetuesi: Si quhet ky?

Robert: Sokol Bizhga. Me pas më është dhënë përgjigja në Drejtorinë e Policisë Durrës se Niko Brahimaj, atëherë ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Kriminale, po e ndiqte këtë problem. Në drejtori me thanë lëre atë punë se personi që ka bërë aksidentin është njeri tepër i nderuar dhe nuk bëhet shaka me të .
Hetuesi: Si ta thanë emrin?

Robert: Nuk e mbaj mënd.

Hetuesi: Ligji të detyron

Robert: Pyesni drejtorin, Niko Brahimajn.

Shefi i qarkullimit Robert Qirjo merret sërish në pyetje më 10 Korrik 2001.

Hetuesi: Çfarë kujtoni nga kjo ngjarje?

Robert: Po, erdhen këto ditë dy specialistë nga Ministria e Rendit . Ariani, drejtori im më tha që të mos i takoja.
Hetuesi: Përse?

Robert: Fjala kishte marrë dhenë në Durrës se aksidentin e kishte bërë Fatos Nano, bile “Benz”-in e kishte fshehur në magazinën e…. Ishte ndërruar “Benz”-i i aksidentit atë natë me një tjetër që të mos kapej në hyrje të Tiranës.

Hetuesi: Kush?

Robert: Ju lutem pyesni drejtorin…

Hetuesi: Po atë djalin që ka parë atë natë aksidentin a e keni thirrur ndonjëherë në polici?

Robert: Patrullës i kishte thënë se në makinën që bëri aksidentin ishte një burrë me syze dhe nje grua doli nga makina . Ai i kishte parë nga karburanti që është shumë afër vëndit ku ka ndodhur aksidenti.

Sipas djalit, nga pas makinës doli nje person tjetër që e ka hedhur viktimen në kanal afër rrugës dhe “Benz”-i ka ikur me shpejtësi.

Hetuesi: Po targa?

Robert: Ai djali nuk e mbante mënd mirë, por na tha se me sa dukej ishte 8227 E. Megjithatë nuk ishe i sigurt .Kemi hetuar plot. Po hetojmë edhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Atje ka një “Benz” të tillë.

Hetuesi: Konkretisht?

Robert: Nuk e di. Kaq munda. E di drejtori, e di Arjani… /albeu.com/